Për Hazarin, Reali është gati të tejkalojë Nejmarin

Në 2009, Florentino Perez theu rekordin botëror të transferimeve duke marrë Kristiano Ronaldon për 94 milionë euro. Sot, i njëjti person, presidenti i Realit të Madridit, është i bindur se ia vlen të thyhet sërish rekordi botëror për të marrë një tjetër yll. Reali kërkon Eden Hazarin, dhe rekordin botëror e ka vendosur vjet Paris SG, kur pagoi 222 milionë euro për Nejmarin. Këto para i mori Barcelona.

Rekordi i ri për Hazarin mund të jetë 226 milionë euro, dhe këto para mund t’i marrë Çelsi (në Angli, rekordin e japin 200 milionë paund stërlina). Vetë superylli belg nuk bën komente agresive, edhe pse e lë gjithçka të qartë. “Pas 6 vitesh të bukur tek Çelsi dhe një Botërori shumë të mirë, ndoshta ka ardhur koha për të provuar diçka të re, – u shpreh ai, – nëse Çelsi më lejon, ju e dini preferencën time. Gjithsesi, vendimi i takon klubit, ndërsa unë po shkoj me pushime”. Hazar po sillet me dinjitet, si dikur Sesk Fabregasi kur kaloi tek Barcelona.

Sfidanti.al