Disa vjet më parë, një gjigand si Rozher Milla, shkoi në Francë për të bindur Samuel Ymtitinë që të luante për Kamerunin. “Luani i pamposhtur” dëshironte që edhe mbrojtësi të bëhej i tillë, ndonëse ishte larguar nga vendlindja që në moshën 2-vjeçare. Në atë kohë, Ymtiti nuk ishte zgjedhje e parë e kombëtares së Francës, edhe pse ishte shpallur kampion bote U20.
Gjithsesi, vitet kaluan dhe Ymtiti i kaloi pengesat, duke qenë tani në kulmin e karrierës me Francën dhe Barcelonën. Milla nuk arriti ta bindte, por problemi mbetet tek spjegimi që jep futbollisti i sotëm i “gjelave”. “Vendimin e mora si parim, – thotë ai, – doja të isha me Francën, pasi kalova të gjithë ekipet zinxhir të bluve. Kam familjen në Kamerun, por kam shkuar vetëm dy herë atje. Jam rritur në Francë dhe jam formuar këtu”.
Ymtiti nuk arrin të thotë të vërtetën, edhe pse nuk është i pari. Nëse ai do të ishte rritur në Kamerun dhe do të ishte formuar atje, nëse do të kishte përfaqësuar Kamerunin në ekipet zinxhir, sërish do të kishte shkuar tek Franca (me shumë gjasa) pasi në Paris do të kishte mundur të fitonte më shumë trofe, dhe të jetonte më mirë.
Sfidanti.al