Tha shumë fjalë lidhur me të ardhmen, pa dashur të sqaronte asgjë, veçse mjaftoi një fjali për të kuptuar gjithçka. Tibo Kurtua e mbylli me këtë fjali diskutimin për sezonin e ardhshëm: “Kudo që të shkoj, Edeni (Hazari) duhet të më ndjekë, ne nuk do ta lemë njërin të largohet pa tjetrin”. Pra, me shumë gjasë, e ardhmja e Tibo Kurtuasë do të jetë në Madrid, ashtu siç pritet ajo e Hazarit.
Kurtua u rrotullua shumë, përpara sesa të thoshte fjalinë e fundit. “Kam dëgjuar fjalë të mira për Sarrin, nga Mertensi, – tha ai, – më pëlqen Londra. Nuk është se patjetër duhet të largohem. Nuk di se çfarë do të bëhet me kontratën e re. Nuk mendoj se do të më lenë në stol nëse nuk firmos kontratën”.
“E tërci, e vërci”, sipas batutës së filmit shqiptar. Fjalët e fundit ishin ato të sinqertat. Kurtua dhe Hazar do të jenë bashkë, me 99 për qind tek Reali, me ndryshimin që Hazar mund të kushtojë 226 milionë euro, ndërsa Kurtua vetëm 35 milionë.
Sfidanti.al