Firmën në kontratë e bëri përballë një legjende si Mexhik Xhonson. Urimin e mori nga një rival, i kthyer tani në njeri të familjes, Kobi Brajant. Një tjetër urim, sipas stilit të veçantë të autorit, e pati nga Zllatan Ibrahimoviç, me fjalët “tani LA ka një Zot dhe një Mbret, mirëse vjen në Los Anxhelos, Mbreti Xhejms”.
Ja pra, Lebron Xhejms pati një “fillim të ri” në moshën 33-vjeçare, dhe do të veshë fanelën më të famshme të karrierës së tij, njërën nga dy më të famshmet e NBA-së, atë të Los Anxhelos Lejkërsave. Sa për të plotësuar lajmin, një kontratë 4-vjeçare me vlerë totale 154 milionë dollarë.
Çfarë ndodhi që Xhejms zgjodhi Lejkërsat? Së pari, sepse ai dëshiron të fitojë tituj, diçka që klubi kalifornian e ka arritur 17 herë në histori. Me Klivlendin mori vetëm 1 titull në 11 vjet, ndërsa Majemi është diçka e shkuar. Lebron gjithnjë është tërhequr nga Lejkërsat, nga qyteti i basketbollit dhe Hollivudit.
Edhe pse 33 vjeç, ai mund të dalë kampion me një skuadër ku kanë luajtur më parë Elgin Bejlër, Xherri Uest, Karim Abdyl Xhabar, Mexhik Xhonson, Xhejms Uorthi, Kobi Brajant e Shakil O’Nill. Veterani do të jetë katalizatori më i mirë për një grup të ri e të talentuar me lojtarë si Lonzo Boll, Kalduell-Poup apo Kajl Kuzma.
Sfidanti.al