Mbape, lavde nga Maradona e Pele, një epokë e re po nis!

Ky Botëror duket se po ndryshon një epokë. Një yll i ri, pritet të zerë vendin e legjendave Mesi e Ronaldo. Ky është Kilian Mbape, talenti 19-vjeçar i Francës, protagonisti i madh ndaj Argjentinës. Pasi shënoi dy gola, dhe fitoi një 11-metërsh, adoleshenti merr vlerësime nga të gjitha anët. Diego Armando Maradona e krahason me Klaudio Kanixhan, sulmuesin që pati në krah në Botërorin 1990 në Itali. Gazeta “L’Ekip” nënvizon se Mbape u bë i pari adoleshent që shënon 2 gola në një ndeshje të Kupës së Botës pas Pelesë, në finalen e Botërorit 1958.

Po vetë Mbape, çfarë thotë? “Ndoshta kjo ishte ndeshja më e rëndësishme dhe më e mirë e imja me kombëtaren, – tha ai, – Ishte një ndeshje me eleminim direkt. Jam i kënaqur me lojën time, padyshim edhe me golat që shënova, gjithsesi, nuk mund të bëj vlerësime për veten time. Jam i lumtur që u kualifikuam”.

Heroi tjetër i të dielës ishte Edinson Kavani. Uruguajani nuk është një zbulim, pasi në moshën 31-vjeçare ka luajtur 105 ndeshje dhe ka shënuar 45 gola për kombëtaren. Vetëm Suarez ka shënuar më shumë sesa ai, dhe kjo dyshe është shpresa më e madhe që Uruguaj të arrijë diçka të madhe në Rusi. “Është kënaqësi e madhe të shënosh gol, sidomos në Botëror, – gjykon sulmuesi, – Lumturia më e madhe është kur e bën për një ekip, për një grup që lufton shumë deri në fund. Jam krenar që ndihmova Uruguajin dhe kënaqa njerëzit në atdheun tonë që na mbështesin”.

Problemi për Uruguajin është se Kavani ka dëmtim muskulor dhe nuk dihet nëse do të bëhet dot gati për çerekfinalen ndaj Francës.

Sfidanti.al