Nuk do ta fitojë dot Kupën e Botës. Të paktën, as këtë herë. Lionel Mesi u detyrua edhe një herë të dilte nga fusha e lojës me kokën ulur, veshur me fanelën e Argjentinës, pasi ëndrra e tij në Rusi 2018 u shua nga Franca. Në Botëror vazhdon ai që mund të quhet pasardhësi i tij, Kilian Mbape, lojtari më i mirë në fushë në ndeshjen e të tetave të finaleve në Kazan, që përfundoi me shifrat 4-3.
Argjentina u eleminua nga skuadra më e talentuar e Botërorit, një Francë që përveç Mbapesë, kishte në fushë edhe yje të tjerë të mëdhenj si Grizman, Pogba, Kante, Varan, Ymtiti apo Zhiru. Epërsia teknike e europianëve ishte e qartë, po ashtu edhe ajo fizike dhe atletike, me shpejtësinë e jashtëzakonshme të lojtarëve të tyre. Mbrojtja e ngadalshme e amerikanojugorëve nuk mundi thuajse për asnjë moment t’i ndalte.
Sfida sidoqoftë ishte emocionuese, me ekipin argjentinas që nuk deshi të dorëzohej deri në fund, edhe pse dukshëm inferior. Avantazhi i shpejtë francez u përmbys fillimisht nga goli i papritur i Di Marisë, dhe pastaj nga ai edhe më i papritur i Merkados, shërbyer nga Mesi. Ylli më i madh i botës deshi që edhe largimi i tij të ishte i veçantë, duke luftuar deri në fund, duke krijuar raste, e duke shërbyer golin e Agueros që dha fare pak shpresë. Gjithsesi, Franca ishte fituese e merituar dhe mund të quhet pretendentë kryesore e Botërorit.
Sfidanti.al