Ku do të lajmërohet superkontrata e re e Hamiltonit?!

Ljuis Hamilton duket e sigurt se ka rinovuar kontratën me Mercedesin. Kampioni i botës në Formula 1, besohet se ka firmosur një marrëveshje të re me vlerë deri në 2020, dhe me rrogën tepër të madhe prej 40 milionë paund stërlinash në vit (rreth 45-46 milionë euro). Kjo e bën atë pilotin më të paguar në Formula 1, dhe britanikun më të paguar në sport.

“Le të themi se bisedimet kanë përfunduar”, – ishte përgjigja e shefit të Mercedesit, Toto Volf, i pyetur për kontratën. Niki Lauda tha shkurt se “Ljuisi do të vazhdojë të garojë për ne”. Hamilton është 4 herë kampion i botës, ndërsa vazhdon të kryesojë këtë sezon me 14 pikë më shumë sesa Sebastian Fetel. Pikëpytja e vetme që mbetet për të është nëse akordi do të lajmërohet në Çmimin e Madh të Britanisë, apo dy javë më vonë në Çmimin e Madh të Gjermanisë.

Hamilton kryeson tani listën e rrogave në F1 me 40 milionë paund stërlina, ndërsa rroga e të tjerëve, shprehur po në paundë, është 38 milionë për Fetelin, 22 milionë për Verstapenin, 20 milionë për Alonson, 10 milionë për Raikonenin, 8 milionë për Riçardon dhe 7 milionë për Botasin.

Sfidanti.al