Lopetegi, humbe shumë pikë këtë herë, shiko Alegrin!

Flitet për një trajner tepër të respektuar deri pardje, për një njeri të madh të profesionit, që ngjiti me sukses shkallët e karrierës duke prodhuar edhe futboll të bukur. Hulen Lopetegi shkëlqeu me kombëtaret e Spanjës U17, U19 e U21, po ashtu me Porton dhe sërish me Spanjën e të rriturve, por mjaftoi të shkelte një herë në “dërrasë të kalbur” që imazhi t’i dëmtohej jo pak.

Nuk vlejnë lajmet se lojtarët e Spanjës dhe kapiteni Ramos kanë kërkuar kthimin e tij. Ata mendojnë për këtë Kupë të Botës, ndërsa presidenti i Federatës Spanjolle, Rubiales mendoi për të mirën e futbollit të Spanjës për një kohë të gjatë. A mund të tolerohej një poshtërim i tillë, si ai që trajneri i kombëtares dhe Reali arritën akord pas shpinës së Federatës dhe e njoftuan këtë vetëm 5 minuta para sesa ta bënin publik?

Rubiales ishte i qartë në konferencën për shtyp, duke vlerësuar lart punën e Lopetegit, por duke theksuar se ka një mënyrë sjelljeje të punonjësve në Federatë. Trajneri i ardhshëm i Realit duhej të kishte marrë shembull sjelljen e Masimiliano Alegrit që gjithashtu u kërkua nga Reali. “Juventusi kishte fjalën time, – tha kampioni, – nuk mund ta ndryshoja”. Edhe Lopetegi i kishte dhënë fjalën Spanjës, pasi vetëm pak kohë më parë rinovoi kontratën, por kjo mbeti fjalë në ajër.

Sa për Spanjën, ajo mund të humbasë, por nuk humbi nderin, ndërsa shpresohet të ketë fituar si trajner një zotëri të madh si Fernando Hierron.

Sfidanti.al