“Lufta e re civile” në Amerikë, Tramp nuk takon kampionët

Në pamjen e jashtme gjithçka duket shkëlqyeshëm. Amerika është shteti më i fuqishëm i botës, në çdo aspekt, krahasimet bëhen “si në Amerikë”, ka punë dhe para thuajse për të gjithë. Sidoqoftë, nën këtë sipërfaqe, gëlojnë konflikte e probleme. Për ta kuptuar këtë, s’ka nevojë të numërojmë të vrarët në rrugët e Çikagos, por mjaft të lexojmë se presidenti Donald Tramp refuzoi të priste në Shtëpinë e Bardhë skuadrën kampione të Superboulit.

Vizita e kampionëve të Filadelfia Igëllsave ishte planifikuar, diçka tradicionale për presidentët amerikanë, dhe shkaku i dështimit të saj ishte kërkesa e Trampit që sportistët të ngriheshin në këmbë gjatë ekzekutimit të himnit kombëtar. Kjo mund të quhet kërkesë krejt normale, pasi kështu ndodh p.sh., në Shqipëri, Gjermani, Rusi apo Kinë, veçse në SHBA qenka ndryshe. Kampionët e futbollit amerikan nuk pranuan këtë kusht, nuk e quajtën normale.

Lojtarët e Filadelfias patën një protestë gjatë finales, duke qendruar në dhomën e zhveshjes gjatë ekzekutimit të himnit, një mënyrë proteste për trajtimin e zezakëve në Amerikë. Më herët, Shtëpinë e Bardhë nuk e vizituan as kampionët e NBA-së, Golden Stejt Uorriors në 2017, besohet për të njëjtën arsye. Duket se në Amerikë po ndodh një luftë e re civile, jo me armë si në 1860-1865, por gjithsesi një luftë.

Sfidanti.al