Historia e Barcelonës, dhe e vërteta e Rajkardit për Laportën

Barcelona gjithnjë është quajtur “më shumë se një klub”. Kur, në vitin 2000, UEFA e nxorri Realin si klubin më të madh të shekullit të 20-të, presidenti i Barçës i asaj kohe, Nunjes, u përgjigj publikisht se “Barcelona është më e madhe, dhe kjo është diçka që ndihet dhe dihet nga çdo katalanas”.

Gjithsesi, pak vite më vonë, në 2003, do të ndodhte që dikush ta sfidonte këtë “aksiomë”, madje duke qenë i brendshëm në “Kamp Nou”. Ishte trajneri Frenk Rajkard iu përgjigj presidentit Laporta. “Barcelona nuk është një klub i madh, – tha holandezi, – klube të mëdhenj janë Reali, Milani, Liverpuli që kanë fituar nga 5 Champions apo më shumë, ndërsa Barcelona ka fituar vetëm 1, si mund të jetë klub i madh”. Këtë histori e tregon ish-lojtari “blaugrana”, Deko, i cili shton se “Rajkardi” kishte të drejtë”.

Rajkardi natyrisht që kishte të drejtë në mënyrën sesi mund të gjykojë një holandez, apo një i jashtëm (edhe pse ishte trajner), dhe natyrisht fiton respekt duke mos ngurruar të thotë të vërtetën, edhe kur kjo nuk të pëlqen. Gjithsesi, Nunjes apo Laporta nuk hoqën dorë kurrë nga bindja e tyre se Barcelona ishte klub i madh, dhe kjo jo thjesht për kokëfortësi apo për përfitime elektorale si presidentë të klubit. Barcelona është po aq klub i madh sa Reali, sepse gjithë jetën e vet është detyruar të jetë një simbol, dhe po ashtu të konkurrojë ndaj Madridit në kushte krejt të pabarabarta.

Sfidanti.al