Kur i shkatërroi finalen e Championsit Mohamed Salahut, UEFA bëri sikur nuk shikoi, ashtu si edhe gjyqtarët në Kiev. Sergio Ramosi ia hodhi mirë herën e parë. E njëjta gjë ndodhi kur goditi me bërryl portierin e Liverpulit, Loris Karius, vetëm një minutë para se ky të gabonte në golin e parë. UEFA, në rastin e dytë, vendosi t’i shikonte pamjet filmike (jo në të parin), por konkludoi se Ramosi u shty nga Van Dajku përpara sesa të godiste portierin. Kjo mjaftoi që të mos kishte dënim për kapitenin e Realit, edhe pse një shtyrje nuk ka pse të të bëjë të gjuash me bërryl.
Gjithsesi, vizita mjekësore e specializuar e bërë nga Karius në SHBA nxorri se ai pati dëmtim të rëndësishëm nga Ramosi. “Z. Karius pati një dëmtim (kontuzion) gjatë ndeshjes, – shkruhej në deklaratën e Spitalit të Përgjithshëm të Masaçusetsit, – në momentin e vizitës, u konstatua se pati probleme me shikimin dhe kjo mund të ketë ndikuar në paraqitjen e tij”. Kjo është e zeza mbi të bardhë, por gjithsesi, për UEFA-n jeta vazhdon edhe pse një Champions fitohet kur dëmtohen dy lojtarë kundërshtarë, madje nga i njëjti futbollist.
Sfidanti.al