Kur je ministër i brendshëm dhe zv. kryeministër nuk mund të veshësh vetëm rolin e kritikut, aq më pak të jesh në skaj. Kjo ndodh të paktën në ato shoqëri ku ekziston mundësia për kompromis dhe ekuilibër, siç padyshim është Italia e sotme. Kreu i Lega Nordit (Lidhjes së Veriut), Mateo Salvini, nuk i shpëtoi dot “lakrave” që ka në kokë, ndërsa fliste për Mario Balotelin, por gjithsesi nuk ishte refreni i përhershëm i Legës kur ishte e sigurt si opozitë.
“Kapiteni nuk duhet të jetë i bardhë, i verdhë apo jeshil, – tha ai, – shpresoj që trajneri ta zgjedhë jo për motive sociologjike, filozofike apo antropologjike, por për një djalë që të dijë të ndikojë në ekip, të jetë i thjeshtë dhe të luajë mirë”. Më herët, zhargoni i Legës ka qenë kundër “terronëve”, pra italianëve të shkretë të Jugut që shkonin si hyzmeqarë në Veri, ndërsa nga këta “kaposhë” cilësoheshin si hajdutët e Italisë.
Salvini është i sinqertë kur thotë se “ndoshta sot, Baloteli më bën përshtypje shumë të mirë, por vitet e kaluara nuk më është dukur njeri i thjeshtë dhe në gjendje për t’i bërë njerëzit që të merreshin vesh me njëri-tjetrin”. Gjithsesi, është një sinqeritet që flet për një “opinion”, aq më tepër në këtë moment kur SuperMario po bën atë që duhet. Në fund të fundit, i takon trajnerit Mançini që të vendosë, por Salvini sillet sipas parimit se “në Itali duhet të ketë 60 milionë trajnerë”.
Sfidanti.al