Hulen Lopetegi ishte një trajner i njohur edhe përpara sesa të ulej në stolin e kombëtares së Spanjës. Basku, që ka qenë portier i Realit dhe i Barcelonës, ka një karrierë të rëndësishme në ekipet kombëtare të “furive të kuqe”. Për 3 vjet drejtoi Spanjën U19, këta 3 vjet ishte edhe në stolin e Spanjës U20 (2010-2013), ndërsa në 2012-2014 udhëhoqi Spanjën U21. Shkëputja e vetme ishin dy vitet tek Porto në Portugali (2014-2016).
Ai numëron 18 ndeshje si trajner i Spanjës së të rriturve që kur zëvendësoi Del Bosken pas Euro 2016-ës, dhe nuk njeh asnjë humbje, ndonëse luajti dy herë ndaj Italisë. Bilanci është 13 fitore e 5 barazime, me golat 59-12. Jo vetëm kaq, por në të gjitha etapat në ekipet përfaqësuese spanjolle, ai ka pasur shumë sukses. Ai ka 39 fitore, 10 barazime dhe vetëm 1 humbje, ndërsa ka dalë kampion i Europës U19 e U21.
Kjo bëri që Federata Spanjolle t’i japë kontratën e re deri në 2020, pra edhe për Europianin. Presidenti i ri i Federatës, Luis Rubiales u shpreh se “u vonuam vetëm 5 minuta për të gjetur akordin, Lopetegi është njeriu më i përshtatshëm për të qenë trajner i Spanjës”. Vetë trajneri falenderoi dhe u shpreh se “tani duhet të mendojmë për Botërorin ku kemi synime të mëdha”.
Sfidanti.al