Simeone drejt historisë, Atletiko synon trofeun e Ligës së Europës

Ka fituar 5 trofe me një klub që, edhe pse nuk quhet i vogël, i ka titujt si “mollët e ndalueme”. Diego Pablo Simeone është nga ata që asgjë nuk i duhet “e ndalueme” ndaj edhe do të synojë të fitojë kupën e gjashtë në stolin e Atletikos së Madridit. Njeriu që e ka nxjerrë “Atletin” nga hija e madhe e Realit, dhe e ka bërë të barazohet edhe me Barcelonën, do të luajë sonte finalen e Ligës së Europës në stadiumin e Lionit.

Përballë, “El Çolos” do të jetë Olimpiku i Marsejës, një emër i shquar i Europës dhe i Francës, kampion i kontinentit në 1993, edhe pse disi “i rënë nga vakti”. Simeone nuk do të jetë në stol, i dënuar, ndërsa skuadrën do ta drejtojë sërish ndihmësi i tij, “i forti” Herman (German) Burgos.

Atletiko cilësohet favorite përballë francezëve, duke qenë prej vitesh një nga pretendentet për tituj në Europë, me dy finale Championsi në 2014 e 2016. Në sulmin e saj do të jenë Antuan Grizman e Diego Kosta, ndër yjet kryesorë të botës, ndërsa “bardhekuqtë” e kanë fituar Ligën e Europës dy herë më parë, në 2010 e 2012 (me Simeonen). Simeone ka fituar titullin në Spanjë në 2014, Kupën e Mbretit në 2013, Superkupën e Spanjës në 2014, Ligën e Europës në 2012 dhe Superkupën e Europës po në 2012.

Sfidanti.al