Barça e ardhshme, fitore totale me sulm “atomik”

Do të duhen edhe 100 milionë të tjerë, përveç gati 270 milionëve të shpenzuar vjet, por rezultati do të jetë një “sulm atomik”. Barcelona ka deklaruar se do të paguajë klauzolën e Antuan Grizmanit për ta marrë francezin nga Atletiko, ndërsa në përfundim të këtij operacioni veror, skuadra e “Kamp Nout” pritet të jetë e frikshme.

Reparti ofensiv do të jetë i përbërë nga 4 apo 5 lojtarë (në varësi të skemave) të një niveli sipëror. Le t’i marrim me radhë. Lionel Mesi, lideri dhe kapiteni i skuadrës, është Këpuca e Artë e Spanjës dhe e Europës. Bashkë me të, Luis Suarez, po ashtu Usman Dembele, Antuan Grizman si dhe Filip Kutinjo, që pritet të luajë më pranë mesfushës, disi në stilin “Iniesta”.

Tre nga pesë golshënuesit më të mirë të La Ligës së këtij sezoni, do të jenë tek Barça edicionin tjetër (Mesi, Suarez, Grizman). Po ashtu, duhet pasur parasysh se Dembele pati një dëmtim të gjatë si dhe një përshtatje të vështirë, ndërsa Kutinjo erdhi vetëm në janar. Me një sulm të tillë, skuadra e Valverdes do të synojë të fitojë gjithçka, sidomos Championsin.

Sfidanti.al