Dramë për infarkt në Durrës, Kamza sheh shpëtimin, fundos Teutën

E pamundur të ishte më shumë dramë se kaq. Një finale e vërtetë për mbijetesën u luajt në Durrës, dhe pati përmbysje, gjashtë gola, dhe përcaktim rezultati në minutën e fundit shtesë.

Teuta e Kamza e mbyllën në barazim 3-3 në “Niko Dovana”, veçse miqtë mund të quhen me plot gojën fitues të sfidës, pasi iu afruan edhe më shumë objectivit të tyre madhor, mbijetesës.

Me 4 pikë më shumë sesa durrsakët, tani që kaluan edhe ndeshjen direkte në fushë kundërshtare, kamzalinjtë janë favoritë për të ruajtur statusin si ekip i Superligës.

Teuta e nisi shumë mirë duelin duke shënuar dy gola të shpejtë, me autorë Latifin dhe Alhasanin, por miqtë e drejtuar nga trajneri Ahmataj nuk u dorëzuan.

Jo vetëm ngushtuan shifrat që në pjesën e parë, me anë të Plakut, por edhe përmbysën rezultatin pas pushimit. Autorë të golave ishin Çurkoviç dhe Fili, me këtë të fundit që realizoi në minutën e fundit.

Gjithsesi, vendasit patën aq forcë sa të reagonin kur dukej e pamundur dhe të shmangnin të paktën humbjen. Shënoi sërish Latifi, veçse me topin e dhënë nga portieri Moçka, edhe një herë vendimtar thuajse ashtu si ndaj Partizanit.

Përse Teuta nuk mundi të fitonte ndeshjen më të rëndësishme, dhe që e luajti në fushën e vet? Duket se Kamza konfirmoi se ka qenë skuadër më e mirë sesa ajo durrsake gjatë gjithë sezonit, ndërsa presioni i klubit kamzali bëri që të paktën gjykimi të mos ndikonte në rezultat.

Në pozicion të mirë pas javës së 31-të edhe Vllaznia. Shkodranët fituan 1-0 në fushën e tyre ndaj Laçi, aq sa kishte parashikuar kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, në deklaratën e dhënë përpara ndeshjeve.

Një gol i Sukajt me penallti në minutën e 7-të mjaftoi për tri pikët, ndërsa Vllaznia u ndihmua edhe nga fakti se kurbinasit luajtën me 10 lojtarë që nga minuta e gjashtë, kur Sefgjini u përjashtua me karton të kuq. Kur duhen edhe 5 javë deri në mbyllje të sezonit, Kamza ka 38 pikë ndaj 36 të Vllaznisë e 34 të Teutës.

Sfidanti.al