Jo Stef Kërri, jo problem, Golden Stejti marshon edhe në plej of

Ka mbërritur në gjysmëfinalen e Konferencës Perëndimore dhe ka përballë një skuadër të re dhe të frikshme, Nju Orlins Pelikans. Golden Stejti mbetet sërish pa Stefën Kërrin, ndërsa pretendentët e rinj kanë Entoni Dejvisin e Nikola Mirotiçin, por sërish Arena e Oklendit përjetoi një tjetër emocion kampionësh.

Uorriorsët fituan ndeshjen e parë gjysmëfinale të Perëndimit, madje me diferencë “të shëndoshë”, 123-101 duke marrë epërsinë 1-0, dhe kjo falë një tresheje magjike si Kevin Durant-Klej Tompson-Drejmond Grin. Durant shënoi 26 pikë, kapi 13 topa në tabela e shërbeu 2 asistë, si dhe bllokoi dy gjuajtje. Kapiteni Tompson pati 27 pikë e 6 topa në tabela, si dhe bllokoi edhe ai dy gjuajtje.

Drejmond Grin zhvilloi një ndeshje të madhe me “tripëll dabëll”, 16 pikë, 15 topa në tabela, 11 asistë, 3 vjedhje topi, 2 bllokime gjuajtjesh. Treshja kryesore pati ndihmë edhe nga të tjerët si Iguodala (12 pikë), Kuk (11), Livingston (10), Uest (8) e Jang (6). Në fund të fundit, u mblodhën edhe pikët e tyre dhe sollën fitoren.

Nju Orlinsi ndjeu mungesën e qendrës së fuqishme Demarkus Kouzins, ndërsa Dejvis zhvilloi një ndeshje të mirë, por jo të shkëlqyer, i mbuluar fort nga mbrojtja vendase. Ai shënoi 21 pikë dhe kapi 10 topa në tabela, ndërsa Mirotiç e pati më të vështirë me vetëm 9 pikë e 8 topa në tabela. Ndeshja e dytë luhet po në Oklend, në fushën e Golden Stejtit.

Sfidanti.al