Niko shikoje Bajernin tënd të ardhshëm, të mund me ekipin C

Niko Kovaç kuptoi se çfarë skuadre do të drejtojë sezonin e ardhshëm, ndërsa e pati përballë në javën e tretë nga fundi të Bundesligës. Trajneri kroat, ende tek Frankfurti, provoi një humbje të rëndë 1-4 duke iu fshirë përfundimisht shpresat për të shkuar në Champions, ndërsa kolegu i tij, Jup Hajnkes, hodhi në fushë ekipin e tretë, apo atë C.

Në fushë për bavarezët ishin të tillë si Mai, Dorsh, Evina, Meritan Shabani me origjinë shqiptare nga Kosova, si dhe lojtarë të aktivizuar jo aq shumë si Sandro Vagner, Toliso apo Rudi. Vetëm Ulraih, Humels apo Kimih ishin nga titullarët, kurse pas pushimit hynë në fushë për disa minuta Tiago Alkantara apo Rafinja.

Bajerni fitoi 4-1 duke vazhduar festën në Bundesligë, me golat e realizuar nga Dorsh, Vagner, Rafinja e Zyle, ndërsa Sebastian Hale realizoi për Ajntrahtin. Jup Hajnkes ruajti forcat për ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Championsit në “Santiago Bernabeu” ndaj Realit, ndërsa në Mynih Bajerni u mund 1-2.

Sfidanti.al