Gabimet “njerëzore” sërish në dëm të Interit ndaj “Zonjës”!

Gabimet e arbitrave mund të quhen njerëzorë ose me dashje, veçse që të përcaktohet e vërteta, ndoshta duhet të hyjnë në lojë organet kompetente hetimore. Në mungesë të tyre, gabimet që bëri gjyqtari Orsato në ndeshjen Inter-Juventus rënduan më shumë ndaj vendasve, sesa ndaj miqve, duke ndihmuar fitoren e kampionëve.

Analiza e “La Gazeta delo Sportit” tregon se kartoni ndaj Vesinos nuk duhej të kishte qenë i kuq, por i verdhë. Po ashtu, Orsato gaboi në rastin e Pjaniçit, kur mesfushori juventin ndërhyri ndaj Rafinjës. Boshnjaku e kishte një të verdhë, dhe duhej të kishte marrë të dytën, për ta lënë Juventusin me 10 lojtarë, por kjo nuk ndodhi. Një i falur ishte edhe për Interin, pikërisht kur Shkriniar duhej të ishte ndëshkuar për ndërhyrje ndaj Higuainit, veçse kjo ndodhi në minutat e fundit.

Nuk ishte çudi që trajneri interist, Spaleti, deklaroi pas ndeshjes se “humbja ishte e pamerituar, nuk di pse na e punojnë kështu”. “Skuadra bëri një ndeshje të madhe edhe me 10 lojtarë nuk duhej të përfundonte në këtë mënyrë, – vazhdoi ai, – shoh sërish pamjet e ndeshjes dhe nuk më duket se pati ekuilibër nga ana e gjyqtarit”.

Sa i përket Alegrit, do të ishte mirë të mos merrej parasysh mendimi i tij, megjithë respektin për trajnerin kampion. Kur skuadra fiton, dhe kur gjyqtari mban (ndoshta pa dashur) anën e saj, asnjë trajner nuk bën autokritikë, ndaj nuk pritej as nga ai i Juventusit. “Arbitri ishte në lartësinë e detyrës, – u shpreh ai, – bëmë detyrën tonë dhe fitorja ishte e jashtëzakonshme”.

Sfidanti.al