Salah është një mrekulli, por Klop thotë: Ne rrezikuam kur e morëm!

Liverpuli kishte 200 milionë paund stërlina buxhet për të blerë lojtarë në verën e kaluar. Trajneri Jurgen Klop duhej të bënte lëvizjet e duhura, ndërsa klube të tjerë si Mançester Siti apo Mançester Junajtid mund të shpenzonin më shumë sesa ai, dhe padyshim edhe Barcelona, Reali apo Paris SG.

Objektiv i rëndësishëm ishte Mohamed Salah, veçse Roma kërkoi shumë për kartonin e tij. Më në fund, palët u morën vesh për 37 milionë paund, që do të thotë gati 20 për qind e krejt buxhetit liverpulas, dhe Klop e mori lojtarin që kërkoi. Sot, pasi Salah ka barazuar rekordin e golave në Premier Ligë të Alan Shirerit, Kristiano Ronaldos apo Luis Suarezit, trajneri i tij tregon sesi u ndje në momentin që pagoi për kartonin e tij.

“Ne rrezikuam shumë, – janë fjalët e tij, – e di që sot nuk mund ta them këtë gjë, pasi Salah ka shënuar 41 gola gjithsej në sezon, por verën e kaluar ishte një investim i paprovuar, me rrezik. Ndodh që investimi del me sukses, por ndodh që shpenzohen paratë dhe nuk arrin atë që do”.

Klop e kishte ndjekur egjiptianin, dhe ishte i bindur për cilësitë e tij. “Ai zhvilloi një sezon shumë të mirë me Romën, – spjegoi ai, – ju në Angli keni një ligë shumë të fortë dhe nuk para shikoni kampionate të tjera, por unë po ju them se ai pati edicion të nivelit të lartë me Romën”.

Gjithsesi, Salah ka shënuar shumë më tepër gola për Liverpulin. “Pozicioni i tij ka ndryshuar paksa, – thotë gjermani, – gjithçka ka të bëjë që të jesh në vendin e duhur, në kohën e duhur, por edhe me faktin se Salah është tepër gjakftohtë para portës. Kështu janë të gjithë sulmuesit e mëdhenj”.

Forma e Salahut, por edhe e Firminos e Manesë bënë që të mos ndihej largimi i një lojtari të madh si Filip Kutinjo. Liverpuli është në vend të tretë në Premier dhe në gjysmëfinale të Championsit, dhe Klop shpreson që sulmuesi i tij egjiptian të vazhdojë me ritmin e tij të golave për t’i dhënë një nga sukseset më të mëdhenj në karrierë.

Sfidanti.al