Pasojat më të mëdha për zhvendosjen e ndeshjes Shqipëri-Izrael nga Shkodra në Elbasan do t’i vuajnë tifozët. Edhe pse Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) sqaroi mënyrën sesi ata duhet të veprojnë, sërish problemi mbetet. Kjo sepse një pjesë e mirë e tifozëve që kanë blerë bileta janë nga Shkodra dhe ata mund të mos kenë dëshirë të udhëtojnë nga qyteti i tyre në Elbasan, dhe kthim, ndërsa në stadiumin e tyre, “Loro Boriçi” do të ishin shumë më komodë.
Nuk dihet madje nëse FSHF do të pranojë që ata të kthejnë biletat kundrejt parave. Në “manualin” e spjeguar nga Federata thuhej se tifozët që kanë blerë bileta mund t’i këmbejnë me bileta të barazvlefshme të “Elbasan Arenës”, kjo në pikat e shitjes në Shkodër, Tiranë dhe Elbasan, ose online.
Ky proces nis paraditen e të mërkurës. Për fat, deri tani janë shitur rreth 7 000 bileta, që do të thotë më pak sesa kapaciteti i stadiumit të Elbasanit, ndaj nuk do të ketë tifozë me biletë që nuk do të kenë mundësi fizike për të ndjekur ndeshjen e eleminatoreve të Botërorit, që do të luhet të shtunën.
B. Kuka