Stiven Xherrard tashmë i ka dhënë fund futbollit. Ish-kapiteni legjendar i Liverpulit e mori këtë vendim pasi skuadra e tij, Los Anxhelos Galaksi, u eleminua në çerekfinale të plej ofit të ligës amerikane nga Kolorado.
“Fajtori” kryesor për eleminimin dhe, besohet, për lënien e futbollit nga Xherrardi, ishte Shkëlzen Gashi. Sulmuesi shqiptar shënoi golin e vetëm të Kolorados në përballjen që u mbyll në barazim 1-1, dhe që u vendos nga goditjet e penalltive. Lojtari i kombëtares (jo i thirrur dy herët e fundit) nuk ishte deri në fund, pasi u dëmtua në kavilje, veçse pati një dhuratë të veçantë.
Xherrard i dha fanelën e tij me numrin e famshëm 8, ku ai kishte vënë edhe nënshkrimin. Gashi e tregoi në rrjetet sociale fanelën e dhuruar nga anglezi, duke shkruar se kishte qenë një nder i madh për të, që ta merrte këtë bluzë. “Nder i madh që marr fanelën tuaj me nënshkrim, ndoshta në ndeshjen tuaj të fundit, – shkroi Gashi, – ju jeni një sportist i madh dhe një legjendë për të gjithë ne”.
B. Kuka