Kontrast. Pothuasje në të njëjtën orë kur Reali i Madridit po shpallte zyrtarisht stërgjatjen e kontratës së yllit të saj, Ronaldo, deri më 2021-in, Nejmari, babai i tij, Sandro Rosell e Bartomeu ishin ulur në pankinë, para trupit gjykues, për të dhënë shpjegime për çështjen që është pagëzuar “Nejmar 2”. Një serial që ka cënuar moralin katalan , të akuzuar për implikim në transferimin me “kleçkë” financiare të Nejmarit nga Sao Paolo tek Barcelona.
Ata që quhen “los blancos” janë të përqëndruar vetëm tek futbolli, seriozisht dhe eskluzivisht tek futbolli, në majën e të cilit qëndron CR7. Fitimtar në Europianin francez dhe në Champions. Çfarë i duhet të fitojë më shumë? – pyesin në Madrid – dhe fraza dozohet me helm kur shigjetojnë: “ Lobi i Mesit duhet të presë. Barcelona, betejën më të fortë e ka në ..gjykatë”. Në prag të El Clasikos, një koment i tillë, mund të shërbejë si asist, apo mund të ketë efekt të kundërt.