Pakult, Superligën e bëjnë “të vakët” “lojtarët” jashtë fushe

Në vitin 2002, Peter Pakult nuk ishte në Shqipëri dhe ndoshta as nuk kishte dëgjuar për vendin tonë. Trajnerit të Kukësit, gjithsesi, mund t’i themi se afër fundit të atij sezoni, u luajt një ndeshje e madhe e Superligës, ajo mes pretendentëve për titull, Tirana e Dinamo. Gjyqtar ishte një spanjoll dhe në fushë pati maksimumin e spektaklit që mund të jepnin dy ekipet më të mira të vendit, ndërsa rezultati doli 2-2.

Pakult nuk e ka parë atë ndeshje, apo shumë të tjera që kanë qenë tepër të forta, të shpejta dhe me nivel, por ai po ndjek Superligën e zakonshme, atë ku gjyqtarët bëhen protagonistë, dhe ku vendimet e tyre bëjnë që futbolli të humbasë toruan.

“Unë këtu kam vënë re shumë ndalesa, – u shpreh Pakulti, – shumë faulla që jepen në Shqipëri, ndoshta në Europë nuk konsiderohen fare. Këto ndërprerje të shpeshta bëjnë që të ulet edhe ritmi”. Ka mundësi që austriaku të shpallet “armik” sepse prishi imazhin e “vendit të lumtur”, por atij duhet t’i sqarojmë se këto faulla të shpeshta bëjnë që gjyqtari të jetë numri 1 i ndeshjes, pra të ketë mundësi edhe të vendosë sesi do të përfundojë.

Më mirë një ndeshje me shumë faulla, dhe me ritëm të ulët, sesa një ndeshje e bukur, por që të prish çdo parashikim. Apo siç thuhej përpara 1990-ës (dhe vazhdon edhe sot), “më mirë një njeri që të çalojë pak nga profesionalizmi, por që të jetë besnik i Partisë”!

Sfidanti.al