“Dopio gjashtë” e Bajernit, Bundesliga nuk e ndërron sërish “pronarin”!

Festa duket sikur nisi që në Sevilje. Tifozët e Bajernit ishin qind për qind të bindur se skuadra e tyre nuk do t’i zhgënjente as në Europë dhe as në Gjermani. Yjet bavarezë nuk i zhgënjyen aspak adhuruesit e tyre, dhe pasi kaluan me sukses provën në Champions, realizuan objektivin e madh në Bundesligë, titullin. U duhej fitorja në fushën e Augsburgut për t’u shpallur kampionë 5 javë para përfundimit, dhe ia dolën me një epërsi impresionuese.

Edhe pse pësuan gol të parët, rrjetë të cilën e shënuan vetë në portën e tyre me anë të Niklas Zyles, të besuarit e trajnerit Jup Hajnkes reaguan menjëherë. Korenten Toliso dhe Hames Rodrigez përmbysën rezultatin që në pjesën e parë, ndërsa Arjen Roben e Sandro Vagner, vazhduan festivalin e golave pas pushimit. Dominimi i kampionëve të vjetër dhe të rinj ishte i plotë, edhe pse Hajnkes i kurseu forcat për ndeshjen e dytë ndaj Seviljes në Champions. Levandovski, Humels e Tiago Alkantara ishin në stol deri në fund, ndërsa Tomas Myler luajti vetëm nja 10 minuta, po aq sa Frank Riberi.

Ky ishte titulli i gjashtë radhazi për Bajernin, dhe i 28-ti në histori, pra me rekordin që vazhdon të thellohet. Njekësit janë tepër larg dhe vazhdojnë të humbasin terren me Nyrembergun që ka 9 tituj dhe Dortmundin me 8. Yjet bavarezë ia lejuan vetes të festonin për qejf të tyre pas ndeshjes, por kremtimet do të përfundojnë shpejt, pasi sezoni ende nuk ka përfunduar. Duhet fituar Kupa e Gjermanisë dhe sidomos Liga e Kampionëve.

Sfidanti.al