Gjuri i tij nuk u shërua dot në kohë dhe njëri nga derbit e mëdhenj do të jetë pa të. Kun Aguero është mungesa e madhe e Mançester Sitit në duelin anglez në Champions ndaj Liverpulit, me rekordmenin e golave të klubit që nuk u bë dot gati në kohë. Jo se Siti nuk ka alternativa, Gabriel Zhezus është një sulmues i shkëlqyer, por gjithsesi, në një duel të këtij niveli si ndaj të kuqve të Klopit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, prania e argjentinasit do të ishte një plus i rëndësishëm.
“Shpresoj që Kun të jetë gati për derbin ndaj Mançester Junajtidit të shtunën, – tha Guardiola, – të shohim nëse do të mundet të luajë në “Etihad”, në stadiumin tonë”. Aguero u grumbullua nga kombëtarja e Argjentinës për dy miqësoret ndaj Italisë e Spanjës, por nuk luajti në asnjërën prej tyre, ashtu si edhe Lionel Mesi. Sidoqoftë, në ndryshim nga patrioti i tij, ylli i Barcelonës thuhet se është gati për sfidën ndaj Romës.
Sfidanti.al