Nëse ai do të vazhdonte të ishte trajner i Bajernit edhe sezonin e ardhshëm, nuk do të kishte asnjë dyshim, do ta mbante patjetër Robert Levandovskin. Jup Hajnkes, gjithsesi, do të largohet në fund të edicionit, ndërsa bavarezët pritet të zbulojnë emrin e pasardhësit brenda këtij muaji, ndaj edhe ka një paqartësi lidhur me të ardhmen e polakut.
Dyshime nuk ka që Reali e do “Levën”, dhe që sulmuesi 29-vjeçar dëshiron të luajë në Madrid. Pas sukseseve të mëdha me Dortmundin, ai zgjodhi Bajernin, dhe pasi fitoi gjithçka në Mynih, natyrshëm kërkon një përvojë tjetër, të fundit në karrierë dhe më të madhen, duke pasur parasysh statusin e Realit.
“Ju e dini se Rumenige ka deklaruar se nuk ka asnjë shans që Levandovski të jetë lojtar i Realit, – ishin fjalët e Hajnkesit përpara duelit me Seviljen, – edhe unë jam i bindur se ai do të vazhdojë të luajë për Bajernin”. Më herët, Hajnkes e ftoi polakun që të thyente rekordin e tij të golave në Bundesligë (220 ndaj 177 që ka Leva), diçka që sulmuesi mund ta bëjë për dy sezone, me ritmin e tij normal.
Gjatë verës priten zhvillime interesante mes dy klubeve, pasi duhet zgjidhur edhe çështja e Hames Rodrigezit, veçse kur Bajerni thotë “JO”, tepër rrallë kjo kthehet në “PO”.
Sfidanti.al