Kristiano Ronaldo u shfaq edhe një herë si një golshënues i përkryer, pavarësisht moshës 33-vjeçare, duke realizuar 4 herë në portën e Gironës në La Liga. Portugezi i artë arriti në 22 rrjeta këtë kampionat, duke qenë i dyti në listën e shënuesve, “Piçiçi”, i lënë prapa vetëm nga Lionel Mesi që ka 25. Njëkohësisht, ai u bë më i miri “snajper” i sezonit me 37 rrjeta në 35 ndeshje, ndaj 35 që ka Mesi në 43 ndeshje (mes tyre është Salah i Liverpulit me 36).
Gjithsesi, ndërsa po i afrohet fundit të karrierës (besohet), ku ndodhet CR7-ta në renditjen e golshënuesve të futbollit botëror në të gjitha kohët? Për momentin, Topi i Artë dhe Lojtari i vitit i FIFA-s është në vendin e 6-të, me 663 realizime, duke lënë pas Mesin që ka 630. Nuk duhet harruar se Ronaldo është gati 2 vjet më i madh në moshë sesa Leo, dhe se ka luajtur 131 ndeshje më shumë, ndërsa ka vetëm 33 gola më shumë.
Në krye të renditjes së të gjitha kohëve është futbollisti nga ish-Çekosllovakia, Jozef Bican, që në vitet 1931-1955 e tundi rrjetën plot 805 herë dhe këtë e bëri në vetëm 530 ndeshje. Mesatarja e tij ishte 1.52 gola për ndeshje.
Më pas vijnë Romario me 772 gola, Pele me 767, Pushkash me 746 dhe Gerd Myleri me 735. Të gjithë këta kanë një mesatare gol/ndeshje më të lartë sesa Ronaldo. Ylli i Realit arrin në 0.71, ndërsa Pele në 0.92, Pushkash në 0.99, Myleri në 0.92, Romario e Mesi janë në 0.78.
Dy superyjet që ende luajnë futboll, pra Kristiano e Leo, kanë lënë ndërkaq prapa legjenda të tjera të topkëmbës si hungarezin Ferenc Deak, gjermanin Uve Zeler, brazilianin Artur Fridenrajh, polakun Ernst Vilimovski, Euzebion, Hugo Sançezin, Fric Valterin, Zikon, Di Stefanon apo Xhimi Grivsin, që të gjithë me mbi 500 gola.
Sfidanti.al