Shabani në stol, por “Madhëria” Bajern mposhtet në Lajpcig

Jup Hajnkesi e dinte se do të ishte një ndeshje e vështirë dhe ashtu doli. Ditën që trajneri veteran zgjodhi të kishte në stol Meriton Shabanin, Bajerni i tij u mund në fushën e Lajpcigut, me shifrat 1-2. Nuk rrezikoi asgjë përsa i përket Bundesligës, ku avantazhi thjesht u ul në 17 pikë me Shalken e vendit të dytë, por thjesht humbi disi shkëlqimin dhe prestigjin në një sezon që premtohej të ishte me “kurorë të trefishtë”.

Hajnkes la në stol Levandovskin, Riberinë, Boatengun apo Rafinjën, ndërsa Roben e Tiago Alkantara nuk ishin fare. Në ndeshje e sipër, sulmuesi polak dhe francezi veteran hynë si zëvendësues, por nuk e shpëtuan kampionen. Sandro Vagner kaloi Bajernin përpara, por Nabi Keita (do kalojë tek Liverpuli në verë për gati 60 milionë euro) barazoi. Rezultatin e vendosi sulmuesi i Gjermanisë, Timo Verner, që shënoi golin e dytë, dhe ndoshta pikërisht Verner mund të zëvendësojë Levandovskin që nga sezoni i ardhshëm.

Kjo ishte fitorja e parë në histori e Lajpcigut me Bajernin, dhe skuadra lindore është në vendin e 6-të, me 43 pikë, por vetëm 2 pikë larg vendit të katërt që të kualifikon për në Champions.

Sa për Meriton Shabanin, ky është një shqiptar i Kosovës me moshë 19-vjeçare, që luan në rolin e mesfushorit. Që nga viti 2006 është pjesë e Bajernit dhe shpresohet që të bëhet pjesë e ekipit të parë.

Sfidanti.al