Arsenali shumë i fortë për Milanin, por çfarë penalltie turpi fitoi!

Dani Uelbek mund të jetë heroi për tifozët e Arsenalit, pasi shënoi dy gola në portën e Milanit, veçse për tifozët milanistë dhe për të gjithë ata që e duan futbollin, penalltia e fitoi prej tij ishte e shëmtuar. Edhe mediat angleze nuk mundën ta kursenin ish-sulmuesin e Mançester Junajtidit që fitoi një penallti në momentin më vendimtar të ndeshjes së dytë të të tetave të finaleve, të Ligës së Europës, në Londër.

Uelbek u duk qartë që simuloi, ndërsa gjyqtari dha 11-metërsh pasi ngurroi pak. Rezultati ishte 1-0 për Milanin, pas rrjetës së shkëlqyer të Çalhanogluit veçse Uelbek nuk gaboi nga pika e bardhë duke i hedhur “ujë të ftohtë” entuziazmit dhe shpresave të ekipit të Xhenaro Gatuzos.

Pas pushimit, sa më shumë kalonin minutat, aq më e dëshpëruar bëhej gjendja e italianëve, që e kishin humbur 0-2 ndeshjen e parë në “San Siro”. Shqiptari i Zvicrës, Granit Xhaka, realizoi përmbysjen në minutën e 71-të, ndërsa Uelbek i vuri “qershinë” mbrëmjes së tij kontroverse, duke shënuar golin e tretë. Arsenali është në çerekfinale dhe Arsen Venger ka shpresa se mund ta shpëtojë sezonin duke fituar Ligën e Europës dhe duke siguruar Championsin nëpërmjet saj, ashtu siç bëri vjet Murinjo me Mançester Junajtidin.

Sfidanti.al