CSKA-ja, Lacio e Lajpcigu, “flamurmbajtësit” e papritur të gjigandëve

Asnjë shtet nuk mund të mburret se e dominon Ligën e Europës të këtij sezoni. Rusët mendonin se mund të ishin ata, gjithashtu kishin shpresa spanjollët, francezët apo italianët, por që të gjithë dështuan. Të tetë skuadrat e kualifikuara për në çerekfinale janë nga 8 vende të ndryshme, dhe secili që ka përfaqësues, nuk ka më shumë se një.

Rusia që shpresonte të kishte tre, mbeti me njërën që nuk është se pritej shumë, CSKA-në e Moskës. Kryeqytetasit bënë “namin” brenda në Francë duke mundur 3-2 Lionin e duke përmbysur humbjen 0-1 në shtëpi në takimin e parë. Aleksandr Golovin, Ahmed Musa dhe Kirl Nababkin ishin autorët e golave, ndërsa francezët barazuan vetëm një herë me anë të Maksuell Kornesë, si dhe shkurtuan shifrat në 2-3 kur shënoi Mariano Diazi në 71’.

Dy ekipet e tjerë rusë u eleminuan. Lokomotiv e Moskës nuk është se kishte shpresë pas humbjes 0-3 ndaj Atletikos së Madridit, por nuk e priste një katastrofë 1-5 në shtëpi. Ndikoi mungesa e përvojës, por edhe diferenca në potencial dhe në ritëm. Korrea kaloi spanjollët përpara, Ribus barazoi, por pastaj Saul, dy herë Fernando Torres (një me penallti) dhe Antuan Grizman fiksuan shifrat në Moskë.

Atletiko mbetet përfaqësuesja e vetme e Spanjës, pasi Atletik Bilbao u eleminua nga Olimpiku i Marsejës. Edhe marsejezët mbetën “flamurmbajtësit” e vetëm të Francës pas ikjes së Lionit, ndërsa arritën një fitore të madhe 2-1 në Vendet Baske.

Zeniti i Shën Petersburgut nuk e “emuloi” dot CSKA-në. Skuadra e Roberto Mançinit barazoi 1-1 në fushën e vet me Rasenball Lajpcigun, ndërsa kishte humbur 1-2 ndeshjen e parë në Gjermani. Lajpcigu pa shumë emër (dikur finalist i Kupës së Kupave në 1987) do të përfaqësojë futbollin gjerman, pasi Dortmundi nuk ia doli dot në Austri. Barazim 0-0 ndaj Salcburgut, pas humbjes 1-2 në ndeshjen e parë në “Signal Iduna Park”.

Së fundi, por jo për nga rëndësia, një përfaqësues ka edhe Italia, dhe një ka edhe Portugalia. Lacio mposhti 2-0 Dinamon e Kievit, brenda në Ukrainë, duke shlyer gabimin e takimit të parë që doli 2-2. Lukas Leiva dhe Stefan De Vraj ishin autorët e golave në “Stadiumin Republikan” të Kievit me Tomas Strakoshën si gjithnjë në portën e lacialëve.

Sportingu i Lisbonës, ndërkaq, pati nevojë për kohën shtesë në Republikën Çeke, ku humbi 1-2 me Viktorian e Plzenjit, por kishte fituar 2-0 në Portugali. Shorti i çerekfinaleve hidhet këtë të premte në orën 13:00 në Nion të Zvicrës.

Sfidanti.al