Nejmar në karrocë invalidi, operimi do t’i kushtojë 3 muaj!

Paris SG është krejtësisht i tronditur dhe trajneri Unai Emeri shumë i mërzitur, por ngjarjet kanë rrjedhur ashtu siç priteshin. Me Nejmarin asnjëherë nuk ke gjë të sigurt, dhe dëmtimi i tij i fundit, si dhe mënyra e menaxhimit të tij, u bë “mollë sherri” e futbollistit me klubin. Presidenti Al Helaifi, që investoi 222 milionë euro për ta marrë nga Barcelona, me siguri deshi që “Ney” të bëhej gati sa më shpejt, në mos për të luajtur ndaj Realit, të paktën për të ndihmuar ekipin në Champions, në rast kualifikimi.

Nejmar, ndërkaq, mori vendim personal krejt të ndryshëm për t’u operuar dhe zbarkoi në Brazil, i fotografuar ndërsa shtyhej përpara i ulur në një karrocë invalidi. Sulmuesi ka vendosur që ndërhyrja të bëhet pikërisht në vendlindje, ndërsa mediat raportojnë se koha e rikuperimit të tij do të jetë e gjatë, më e gjatë sesa mendohej, plot 3 muaj.

Kjo do të thotë se Nejmar mund të kthehet në fushë vetëm në fund të muajit maj, ndërsa kjo prognozë ia bën paksa të dyshimtë edhe pjesëmarrjen në Botëror me Brazilin, synimin e tij kryesor për vitin 2018. Në fund të majit, ai mund të jetë shumë mirë fizikisht, por sa mund të ndikojë fakti se do të shkojë në Botërorin e Rusisë pa luajtur thuajse asnjë ndeshje përpara tij, në gati 3 muaj?!

Sfidanti.al