Zinedin Zidane, në konferencën e tij të djeshme të shtypit, në prag të ndeshjes me Espanjolin, midis të tjerave, i shprehu mbështetjen e vet Nejmarit, mbas dëmtimit që ai pësoi në ndeshjen e fundit derbi me Olimpikun e Marsejës. Vetëkuptohet se PSZH-ja, pa Nejmarin, do të jetë një rival shumë më i dobët i Realit të Madridit në ndeshjen revansh të 1/8-tës së Champions-it, por, sidoqoftë, Zidane shprehu shpresën se Nejmari do ta marrë veten dhe do të luajë në ndeshjen e ardhshme në “Parkun e Princave”.
“Unë nuk jam nga ata njerëz që më gëzon fatkeqësia e tjetrit, kështu që, me të vërtetë, më erdhi keq, kur Nejmari u dëmtua. Unë jam një ish-futbollist dhe e di sesi e ndjejnë veten lojtarët, kur pësojnë dëmtime, prandaj, me vjen shumë keq, kur ndodh një gjë e tillë. Me sinqeritet, dua që Nejmari të luajë në ndeshjen e kthimit kundër nesh”, vuri në dukje Zidane.
Ndërkohë, ende nuk dihet nëse trajneri francez do të mund të mbështetet, në ndeshjen e ardhshme me PSZH-në, në Paris, te tre futbollistë të dëmtuar të formacionit të parë, Toni Kros, Luka Modriç dhe Marselo. “Ata janë këtu, vazhdojnë rehabilitimin, ndërsa nuk janë stërvitur me ekipin. Ne do të shohim sesi do ta ndjejnë ata veten deri në fund të javës, nëse do të mund të luajnë ndaj PSZH-së”, tha Zidane.
Sfidanti.al