Luftëtari tallet me golin, i dhuron Vllaznisë një pikë mbijetese!

Dy ndeshjet ngjanë si dy pika uji. Pasi Teuta arriti të merrte pikë në Durrës ndaj Flamurtarit, ja ku u përgjigj Vllaznia me një barazim në Gjirokastër. Të njëjtët rezultate, 0-0, me thuajse të njëjtën lojë nga dy ekipet në garë për mbijetesën. Ndryshimi i vetëm ishte nga faktori fushë, pasi shkodranët u ndodhën nën presion nga Luftëtari vendas, ndërsa durrsakët krijuan më shumë të shtunën përballë vlonjatëve.

Gjirokastritët duhej të kishin shënuar më shumë sesa një gol, me rastet që patën, por Bregu e Abazaj sikur u tallën me futbollin, dhe me publikun, duke humbur shanse të pabesueshme. A thua gabuan si njerëz, apo mos ndoshta llogaritë në Superligë kanë nisur të ndikojnë që tani? Vështirë të thuhet dhe vështirë të gjendet, edhe pse vetë Luftëtari nuk mund të thuhet se është krejtësisht jashtë rrezikut për të rënë nga kategoria.

Vllaznia e trajnerit Ernest Gjoka, besohet ende të tronditur pas sulmit të së enjtes, bëri pak, por mori atë që deshi, pra pikën. Me 22 pikë, shkodranët janë 4 pikë mbi Teutën e vendit të parafundit, vend që të zbret poshtë. Luftëtari, ndërkaq, u barazua me pikë me Partizanin, nga 28, por duke qenë mbi kryeqytetasit për shkak të golaverazhit më të mirë.

Sfidanti.al