Murinjo mund Konten me Lukakun, Junajtid pranë Championsit

“Nëse Mançester Junajtid nuk kualifikohet për në Champions sezonin e ardhshëm, kjo do të ishte një njollë e madhe për Zhoze Murinjon”, thoshte ish-mbrojtësi i Liverpulit, Xhemi Karrager. Trajneri portugez iu përgjigj me fitoren 2-1 ndaj Çelsit në “Old Traford”, sukses që jo vetëm i dha Zhozesë kënaqësinë e suksesit ndaj rivalit Konte, por edhe “çimentoi” pozitat e “djajve të kuq” në vend të dytë dhe brenda katërshes së parë të Premier Ligës.

Një sfidë e ashpër dhe e shpejtë, tipike angleze, por edhe me “recetë europiane” (prej Murinjos e Kontes), u mbyll në favor të vendasve, edhe pse Blutë e Londrës kaluan të parët në avantazh. Uillian ishte po aq i shkëlqyer sa ndaj Barcelonës, dhe po ashtu Hazar, por jo për gjithë ndeshjen.

Më e rëndë bëhet humbja për londinezët pasi njeriu që i dënoi më fort ishte ish-lojtari i tyre, Romelu Lukaku. Sulmuesi i Belgjikës shënoi golin e barazimit dhe shërbeu topin për rrjetën e avantazhit shënuar nga Xhesi Lingard.

Rezultati mund të kishte qenë tjetër, pasi Alvaro Moratës iu anulua një gol për pozicion jashtë loje tepër të dyshimtë, një tjetër “thirrje” për të sjellë teknologjinë VAR në Premier Ligë, ashtu si në Serinë A apo në Bundesligë.

Të dyja skuadrat patën edhe raste të tjera, por portierët De Gea e Kurtua ishin në lartësinë e detyrës. Me këtë sukses, Junajtid u ngjit në kuotën e 59 pikëve, në vend të dytë, ndërsa Çelsi rrezikon shumë, duke qenë i pesti me 53.

Sfidanti.al