Korça “u përdor” edhe një herë, pikërisht në minutat e fundit

Tubimi i qytetarëve të Korçës me sloganin “mos na e vrisni ëndrrën” drejtuar zyrave të UEFA-s ishte fytyra e trishtë (por e vërtetë) e shoqërisë tonë. Dhe, nëse kjo ka mbërritur deri në Korçë, atëherë duhet të shqetësohemi seriozisht. Qytetarët korçarë, që nuk kanë nevojë për “epitete” shtesë, sepse mjafton të kujtosh Nolin: “Do per pune nje Korçar, i ke bujq e ustallarë, për qejf bashkë hapur venë, krahë e kokë s’u kanë të sharë”…

Skënderbeu, skuadra e qytetit të Korçës është në hetim nga inspektorë të UEFA-s për trukim rezultatesh kryesisht në ndeshjet që organizon UEFA. Pra, ata që drejtojnë aktualisht klubin e Skënderbeut, (që lidhje me Korçën kanë vetëm “përdorimin” e ekipit të futbollit të qytetit), sipas ekspertëve të UEFA-s kanë përfituar diku tek 7.9 milion euro nga trukimi i ndeshjeve të skuadrës së Skënderbeut, gjthmonë për kompeticionet e UEFA-s.

Këtë lajm, që klubi korçar është në hetim, këta zotërinjtë që kanë kërcënuar se mund ti marrin këta lojtarë dhe të ndërtojnë një ekip tjetër dhe për më shumë ti heqin “ëndrrën” qytetit të serenatave, kanë kohë që e dinë… Çuditërisht këtë fakt nuk e di asnjë korçar, të paktën nga ata që dolën aty në shesh jo e jo… Por kjo nuk është hera e parë që korçarët nuk dinë asgjë…

Thuhet nëpër raporte, që Skënderbeu, si palë e akuzuar në këto gjyqe sportive e ka ditur me muaj përpara që është i përfshirë në një hetim për baste dhe trukime, por sërish Korça e ka marrë vesh e fundit, kur ndonjë gazetë apo gazetar që e ka “halë në sy” Skënderbeun ka publikuar raporet që vijnë nga UEFA.

Pra, si gjithnjë Korça nuk di gjë… Nuk dinë as qytetarët e thjeshtë që dolën në mbrojtje të ekipit të tyre, as kryetari i bashkisë që është edhe aksioner dhe që paguan çdo vit diku tek 500.000 euro për ekipin e parë të futbollit, as specialistët dhe figurat e futbollit të këtij qyteti… Këto i dinë ata lart, që (sipas raportit gjithnjë) i kanë shumë qejf minutat e fundit, dhe nuk ja thonë askujt, i ruajnë për vete…

Shumë prej qytetarëve të pranishëm në tubim, patjetër do të kenë qënë në stadiumin “Elbasan Arena” në një ndeshje historike për ekipin e tyre përballë Lokomotivës së Moskës. Edhe ata që nuk kanë qënë, i kanë parë “heronjtë e tyre”, “idhujt” e fëmijëve, “legjendat” e qytetit se çfarë po sajonin në fushë (si gjithmonë ato minutat e fundit). Në stadium kishte edhe thirrje dhe kore nga tifozeria, “e shitët e shitët”, por ata do kenë qënë “dashakeqët” e ekipit, jo tifozeria e vërtetë qytetare korçare. Thuhet madje, që edhe presidenti që ishte korçar, prandaj është larguar nga klubi, ndonëse ishte fitues, por kjo nuk thuhet në raport.

Ka patjetër nga ata që kanë shkruar historinë e vërtetë të futbollit korçar që kanë zgjedhur të heshtin, sepse ndryshe po të dilnin diku do ulërrisnin… Nuk ka korçar naiv që mendon se UEFA ja paska me qëllim Skënderbeut, sepse ndryshe nuk do ti jepte të paktën 12 milionë euro këtij klubi. Nuk ka korçar naiv që beson se “ujqërit” e fushës në minutat e fundit bëhen “dele” dhe bariu i komandon nga tribuna.

E pra, nëse i ka mbetur ende ndonjë veti nga ato që Noli përmend me finesë, duhet të tregoheshin më ustallarë se “ustallarët” që kanë në përdorim klubin. Duhet ti tregonin me gisht… Ti dërgonin një letër, me një tjetër përmbajtje UEFA-s, duke i sqaruar se janë përdorur padrejtësisht dhe nuk kanë ditur asgjë, nuk kanë marrë vesh asgjë dhe ata të UEFA-s ndoshta duhet të ndryshonin subjektin që do të dënonin (nëse e bëjnë gjithnjë)…

Por fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi… Korça u bë palë dhe u përdor edhe këtë radhë, si gjithnjë minutat e fundit,  ndoshta për herë të fundit… (fatmirësisht)

K.Shabani    (sfidanti.al)