“Shumë gjela në një kafaz krijojnë shqetësime”. Shprehja e urtë popullore është vërtetuar gjithnjë, ndërsa njeriut i shkon mendja tek ajo sapo sheh pozicionin e Garet Bejlit tek Reali. Ylli uellsian, i marrë me shumë bujë nga presidenti Perez, po kalon një moment “të zi”, duke luajtur shumë pak, edhe tani që u kthye shëndoshë e mirë nga dëmtimi.
Kamerave dhe fotografëve nuk u shpëtoi momenti kur Bejli u ngrit nga stoli i Realit, dhe shkoi në dhomën e zhveshjes, ndërsa vazhdonte pjesa e parë në stadiumin e Leganjesit. Dikush mund të thotë se numri 11 pati nevoja personale dhe askush nuk mund ta hedhë poshtë këtë, veçse u bënë disa raste që Bejl po tregohet i pakënaqur. Flet gjuha e trupit dhe mimika e fytyrës.
Prej një gjysmë sezoni, uellsiani nuk arrin të luajë një 90 minutësh të plotë, ose lihet në stol për fare, ose hyn pak (ndaj Leganjesit, në minutën e 75-të), ose zëvendësohet pa përfunduar ndeshja. Në katër ndeshjet e fundit, ai është zëvendësuar 3 herë, dhe trajneri Zinedin Zidan ka tani një problem “100 milonë eurosh”, me Bejlin që ka luajtur vetëm 35 për qind të minutave të mundshme.
Sfidanti.al