Skënderbeu “vret” kampionatin, mjafton Muzaka ndaj Flamurtarit

Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, e kishte parashikuar që ekipi i tij nuk quhej pretendent për titull. Kjo u pa edhe në ndeshjen e sotme në fushën e Skënderbeut, e cila ndonëse u humb vetëm me një gol, sërish u humb. Mjaftoi një gol i Gjergji Muzakës 6 minuta para fundit që korçarët të merrnin fitoren dhe të shkëputeshin në 11 pikë nga vendi i dytë, që mbahet pikërisht nga Flamurtari.

Përballja në stadiumin “Skënderbeu”, e vlefshme për javën e 19-të, u luajt e fortë, por me më shumë epërsi të vendasve. Më shumë skuadër, ajo e trajnerit Ilir Daja bëri më shumë dhe pati më tepër raste për shënim, duke pretenduar edhe dy herë për 11-metërsha. Flamurtari, po ashtu pati mundësitë e veta, por më të pakta, dhe shumë pak e gjeti kuadratin e portës së mbrojtur nga veterani Orges Shehi.

Kampionati, natyrisht, nuk ka marrë fund, pasi ka ende edhe 17 javë për t’u luajtur, por mënyra sesi po shkojnë punët, të bën të kuptosh se Skënderbeu “e vrau” atë. Distancimi po bëhet gradualisht, por me këmbëngulje, dhe Flamurtari, Kukësi, Laçi, Partizani, Kamza apo edhe Luftëtari mund të luftojnë thjesht për një vend në Europë.

Pas 19 ndeshjeve të luajtura, Skënderbeu kryeson me 43 pikë, ndaj 32 të Flamurtarit e 29 të Kukësit. Ndeshjet e tjera të javës së 19-të luhet këtë të shtunë, sipas këtij kalendari: Lushnja-Vllaznia e Kukësi-Kamza në 14:00, Partizani-Laçi e Teuta-Luftëtari në 17:00.

Sfidanti.al