“Nuk është e vërtetë se na kanë dhënë vetëm një penallti, na dhanë edhe dy 11-metërsha në ndeshjet miqësore”. Kjo ishte batuta ironike e trajnerit të Flamurtarit, Shpëtim Duro, pas përballjes së shkuar me Partizanin ku ekipi i tij fitoi në minutën e fundit pas vendimit të gjyqtarit Enea Jorgji.
U habit e gjithë Vlora, u habit Duro, por edhe e gjithë Shqipëria që më në fund skuadra bregdetase pati një penallti në favor, pasi gjatë gjysmës së parë të sezonit ajo u masakrua në kuptimin më të plotë të fjalës. Nuk mungoi edhe batuta plot nerva e Starovës që “zotëria nga Elbasani, gjynahet që ka pasur në të kaluarën me Vlorën, vendosi t’i lante në ndeshjen kundër nesh”.
Çfarë po ndodh në Vlorë? Ndoshta mund të quhet një rastësi, apo mund të theksohet fakti se të dy ekipet, si Flamurtari edhe Partizani, janë “grupe armiqësore” për FSHF-në, por besohet se ka një lidhje edhe me zgjedhjet e afërme për kreun e Federatës.
Flamurtari është klubi që ka propozuar Bashkim Finon si kandidat për president (ndonëse Fino besohet se është mik me presidentin e Partizanit, Demi), dhe duket si një klub i lidhur me “pushtetin e ardhshëm” të pritshëm. Kështu nisin llogaritë dhe nderet, për ta pasur mirë edhe pas 7 shkurtit, pasi kjo e tanishmja është një garë kaq e fortë saqë fituesi nuk është i sigurt. Hallin më të madhe në këtë mes, mesa duket, do ta kenë gjyqtarët.
Sfidanti.al