A është ky fundi i luftëtarit Konte në “folenë e grenzave” Çelsi?!

Diego Kosta me siguri duhet të jetë duke qeshur atje në Madrid. Roman Abramoviç me siguri është tërbuar në Londër (nëse ndodhet aty), ndërsa tifozët e Çelsit padyshim që janë shtangur aq shumë sa nuk kanë fuqi as të zemërohen. Në Madrid, tifozët e Realit kërkuan dorëheqjen e Zidanit pas eleminimit në Kupë nga Leganjes, ndërsa përkrahësit blu ende nuk kanë arritur deri aty, por kjo nuk e lehtëson aspak pozitën e Antonio Kontes.

A thua, disfata 0-3 në “Stemford Brixh” ndaj Bornemuthit modest mund të jetë vërtet fundi i aventurës së “luftëtarit” italian te kampionët e Anglisë? Në futboll, ashtu si në jetë, nuk mbahet mend se kush ishe, por se kush je, dhe për momentin Konte është trajneri i turpëruar nga një nga humbjet më të rënda në karrierë, një nga më të rëndat edhe për Çelsin. Kallëm Uilson, Zhunior Stanislas dhe ish-lojtari blu, Ake, shënuan golat në pjesën e dytë, ndërsa londinezët rrezikojnë vendin në Champions.

Ata kanë zbritur në vend të katërt, me golaverazh më të dobët se Liverpuli (nga 50 pikë secili), tri pikë pas Mançester Junajtidit, dhe vetëm 2 pikë mbi Totenhemin që është i pesti. Moskualifikimi për në Champions nëpërmjet kampionatit do të ishte një dështim i rëndë, ndërsa fitorja e Ligës së Kampionëve duket utopi, me një short të turit të dytë ndaj Barcelonës.

Çfarë po ndodh me Konten dhe kampionët? Që nga largimi i Diego Kostës gjërat kanë shkuar për ters. Ndaj Bournemuthit, trajneri nuk pati në dispozicion Uillianin, Moratën dhe David Luizin, ndërsa në ndeshje e sipër u dëmtuan mbrojtësi Kristensen dhe mesfushori i ardhur nga Evertoni, Barkli. Në pushim të takimit u prezantuan afrimet e reja, Zhiru e Palmieri, por që nuk ishin të gatshëm kaq shpejt. Natyrisht, gjithçka mund të ndryshojë, por sezoni duket i vështirë, ndërsa nuk dihet sesa durim i ka mbetur ende presidentit Abramoviç.

Sfidanti.al