Atmosferë prej qielli të shtatë tek Lacio. “Na jepnit vetëm vendin e 10-të, por ja ku jemi dhe të gjithë flasin për ne, – ishin fjalët e trajnerit Simone Inzagi pas triumfit 3-0 në Serinë A ndaj Udinezes në “Olimpiko”, – jam shumë krenar nga lojtarët e mi, pasi luajtën me shumë dëshirë, madje edhe ata që kishin pasur pak mundësi. Gjithsesi, të mos harrojmë nga jemi nisur, nuk do të jetë e lehtë”.
Samir shkaktoi autogol në 22’, Nani realizoi të dytin në 47’ dhe Felipe Anderson shtoi të tretin në 87’. Lacio është skuadra që shënon më shumë në Serinë A, me 56 gola, ndaj 50 të Juventusit e 45 të Napolit.
Katër fitore në 5 ndeshjet e fundit, dhe ngjitje në vendin e tretë me 46 pikë, +3 ndaj Interit, dhe -7 nga Juventusi i vendit të dytë. Nuk prishi asnjë punë që Inzagi bëri 5 ndryshime në krahasim me fundjavën, për të ruajtur forcat me anë të rotacionit. Radu, Basta, Lukaku, Felipe Anderson e Nani luajtën shumë mirë. Sidomos, Felipe Anderson që dha një spektakël.
Strakosha ishte përsëri në portë dhe nuk pësoi gol, ndërsa shqiptari tjetër i Lacios, Igli Tare, po merret me kontratat e lojtarëve. Sipas tij, De Vraj është çështje e mbyllur, por pritet të rinovojë edhe Luis Alberto.
Sfidanti.al