Golden Stejt barazon rekordin e klubit falë kapitenit Tompson!

Klej Tompson ishte heroi dhe jo më kot ai është kapiteni. Me 38 pikët e shënuara në 37 minuta në parket, numri 11 siguroi jo vetëm fitoren e radhës për Golden Stejtin, atë në fushën e Çikagos, por edhe barazimin e rekordit të klubit për sukseset radhazi jashtë fushe. Dueli në Arenën e Bullsave nuk ishte aspak i lehtë dhe u fitua në fund me 7 pikë diferencë, 119-112, por Uorriorsat shfrytëzuan një period të tretë “eksplozive”.

Në krah të kapitenit ishte shoku i tij i vjetër, pjesëtar i grupit “Vëllezërit Splesh” (Splash Brothers), pra Stefën Kërri. Ai realizoi 30 pikë si dhe kapi 9 topa në tabela, ndërsa Kevin Durant u la të luante sipas ritmit të tij. Në përfundim, Duranti pati 19 pikë, 8 topa në tabela e 7 asistë.

Golden Stejti ka tani 14 fitore radhazi jashtë fushe, baraz me rekordin e sezonit 2015-2016, si dhe vetëm dy fitore larg rekordit të NBA-së mbajtur nga Los Anxhelos Lejkërsat e vitit 1971-1972, pikërisht ata që kanë edhe rekordin e fitoreve radhazi në basketbollin amerikan (33). Golden Stejti është në vendin e dytë në këtë renditje me 28 suksese radhazi.

Sfidanti.al