Boll me futbollin, një trajner i shquar argëtohet me Rellin e Dakarit

Andre Vijas Boas për momentin ka marrë pushimet me futbollin. Pas 8 viteve karrierë dhe 7 trofeve të fituar në Portugali e Rusi (por jo në Angli), portugezi 40-vjeçar ka vendosur t’i jepet një pasioni tjetër, atij për automobilizmin. Veçse, jo për garat e shpejtësisë, por për rreziqet e itinerareve të gjata të rrugëve të këqija në formatin “Relli”. Konkurrimi i zgjedhur nga ai është ai i Rellit të Dakarit, të quajtur shpesh si “Gara e Vdekjes” për shkak të fatkeqësive të shpeshta.

Vijas Boas është në timonin e një Tojota Hiluks (Toyota Hilux), në krah të mjeshtrit të këtij sporti, Ruben Faria, dhe pas dy etapave ndodhet vetëm në vendin e 45-të. Gjithsesi, ai është i lumtur për përvojën e re dhe emocionet e paprovuara më parë, ndërsa më vonë besohet se do të kthehet sërish në stolin e trajnerit. Në këtë profesion drejtoi Akademikën, Porton, Çelsin, Totenhemin, Zenitin e Shën Petersburgut dhe Shangai SIPG.

Sfidanti.al