Andi Marrej i bën një premtim së shoqes dhe vajzës për karrierën

Tenisi rrezikon të humbasë një nga yjet më të shkëlqyer të viteve të fundit. Skocezi Andi Marrej ka një problem tashmë kronik në rrëzë të kofshës dhe mendohet se kjo mund t’i kushtojë edhe karrierën. E sigurt është që kampioni britanik nuk do të jetë në Australian Open këtë muaj, veçse vetë ai është optimist dhe bën një premtim.

“Kam biseduar me time shoqe, – sqaron Marrej pas operacionit që bëri në një spital në Australi, – unë dua që të luaj derisa vajza ime të jetë rritur aq sa të kuptojë tenisin dhe të më ndjekë nga tribunat e stadiumeve. Kështu, ajo do të kuptojë më mirë se çfarë ka bërë babai i saj për të siguruar të ardhurat e familjes”.

Marrej deklaron se operacioni ishte një sukses dhe ishte e vetmja zgjidhje, pasi me ilaçe dhe terapi të tjera dëmtimi nuk po kalonte. Ai nuk i ka vënë afate vetes për kthimin, por mundet që për 2 muaj të jetë në gjendje të godasë topin, ndërsa të jetë në formën e duhur për të synuar një tjetër titull në Uimbëlldon, në verë.

Sfidanti.al