Zhoze Murinjos nuk i ka ardhur aspak mirë që rivali kryesor i Mançester Junajtidit, Mançester Siti e mundi atë 2-1 në përplasjen direkt në Premier Ligë, por me siguri që atij i ka ardhur më shumë keq, kur ka dëgjuar thirrjen e lojtarëve të Sitit: “Ku je, parko autobusin!”, mbas fitores së thellë të fundit 4-1 të “qytetarëve” ndaj Totenhemit.
“Speciali” shkaktoi një trazirë të madhe, javën e kaluar, kur, mbas humbjes 1-2 në derbin mançestaras, shkoi te dhoma e zhveshjes së lojtarëve të ekipit të Sitit, duke u tërhequr atyre vërejtjen për muzikën e lartë dhe festimin e tepruar. Por, “qytetarët” e vazhduan “luftën” edhe kur mundën thellë Totenhemin, duke shënuar fitoren e 16-të me radhë, ndërsa nga dhoma e zhveshjes së tyre jehonte thirrja e fortë “Ku je, parko autobusin!” që është bërë midis tifozëve, tani, një hit i vërtetë në internet.
Sfidanti.al