Për të hequr Starovën, turpi u ngjit deri në Kalanë e Gjirokastrës

Partizani dhe Starova, apo “Romeo dhe Zhuljeta” në versionin krejt shqiptar, të një dashurie me top të fryrë dhe të shfryrë, ka përfunduar me një dramë të pashoqe tradhëtie. Paska qënë një zbukurim para vdekjes , ringjallja me pikë e Partizanit sapo iku italiani Juliano, pa e ditur se skenari kishte kurdisur një fat edhe më të zi për të “përjetshmin” Starova. Ajo që ndodhi në Gjirokastër,  ku porta e “demave”  tundej e shkundej pa gajle në një pasdite historike turpi,  nuk do të mbahet mend vetëm për 5 golat që flakëruan fytyrën e tyre,( nëse kanë). Më shumë do të kujtohet për sjelljen e tredhur  në fushë, për dorëzimin e habitshëm të një ekipi që ka si armë shpirtin, që nuk u skuq fare kur në fund të lojës i kishin rënë mbathjet morale në fushë. Të gjithë e dinë dhe janë mësuar me talentin gjirokatrit të Bregut, Abazajt dhe shokëve të tjerë, që kanë krijuar lavdinë e tyre në lojën me befasi, duke guxuar të bukurën në një kampionat që i ngre bust të fortit. Sepse kjo është psikologjia që zapton fushat tona , e përçuar besnikërisht nga pronarët e pandreqshmëm të sistemit të gabuar. Ata që po investojnë prej vitesh për të na injektuar idenë se futbolli i pavërtetë, ai që trukon kokën dhe lojën,  ai që dërgon më shpejt në shtëpi trajnerët, është loja që meritojmë më shumë..

Një javë më parë, Kukësi tradhëtoi trajnerin Milinkoviç, serbin që e shpallëm trajnerin më “të bukur” të një kampionati të pabesë, kur përballë Lushjes aktroi disi shëmtuar, duke treguar publikisht se kampionët akoma nuk dinë ta bëjnë atë rol të djallosur. Shyqyr Zotit, nëse me të vëretetë ka një të tillë në lojën tonë, trajneri nuk ia mbathi pas asaj që i panë sytë dhe shpirti në ato 90 minuta ligësie. Ndofta është “debutues” në këtë lloj shfrenimi kolektiv, por Starovës i kanë parë sytë shumë, aq shumë sa pamja e tij në Gjirokastër ishte një spot dhimbjeje,  një funeral për ata që kuptojnë se futbollistët tanë pa mësuar të argëtojnë, janë mjeshtra për të kurdisur grackën për kokën e trajnerëve të tyre. Apo një “kokë” si ajo e Starovës, një njeriu që u rrit dhe rriti  “demin e kuq” prej afro 3 dekadash, një rebel i thekur  kundër sistemit, tamam tamam kundër presidentit Duka, të cilin e ndihmoi të hipte në fron 16 vite më parë, pa e kuptuar se të tijët do ta tradhëtonin edhe për hir të Zotave që ai zbuloi vet..

Sfidanti.al