E pabesueshme: Mbape humb për herë të parë një ndeshje kampionati

“Fëmija mrekulli” francez, Kilian Mbape, gjatë dy sezoneve të kaluar, është mësuar vetëm me fitore dhe, kështu, humbja e fundit e PSZH-së, bluzën e së cilës ai mban të veshur tani, në Ligën e 1-rë franceze, ishte e para  për të në kampionatin francez. Duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Mbape, gjatë një sezoni e gjysmë me Monakon dhe, tani, me PSZH-në, deri tani, nuk kishte humbur asnjë ndeshje në Ligën e 1-rë franceze, kur ka qenë në formacionin e parë të ekipit.

Sezonin e kaluar, Mbape shkëlqeu me Monakon, duke luajtur në një mënyrë të jashtëzakonshme dhe duke e ndihmuar ekipin “princëror” që të arrinte deri te titulli i kampionit francez, ndërkohë që, në verë, ai erdhi te PSZH-ja. Dhe tani, mbas 21 ndeshjesh me radhë, ai, në përbërje të PSZH-së, humbi 1-2 ndaj Strasburgut, ndërkohë që Mbape shënoi të vetmin gol të “të shenjtëve”. Deri në ndeshjen e fundit, seria e tij ishte 25 fitore dhe katër barazime. Duket qartë se përse Mbape ka një mentalitet fituesi.

Sfidanti.al