Ajo që ndodhi në fundin e ndeshjes Partizani-Skënderbeu në “Elbasan Arena”, nuk do të merrte përgjigjen e saktë nëse do të thonim vetëm kaq : “Gaboi policia që u dynd tek tifozët e Partizanit”. Një ndeshje e pompuar keqazi nga media, sikur do të ishte “vaterloja e titullit”, e provokuar nga shumë gjeste agresive të futbollistëve në fushë, me një arbitër që peshoi lehtë dhe që nuk vuri disiplinën as me kartona, dhe në fund, si për të vërtetuar se loja jonë kërkon vetëm një shkrepse, ndodhi më e shëmtuara. Policë të specializuar për punë të tjera, kapërcejnë kufirin e lejuar, gardhin e stadiumit, për të bërë zap tifozët që hedhin flakadanë. Skenë e denjë për emrin Arena të stadiumit: koka që goditen dhe stola që fluturojnë. Dhe vajza në barelë, e cila do të kujtohet se futbolli është hipokrit me praninë e femrës. Në ditët e Francës, atëhere kur gënjenim me mburrje se ishim “kampion të Francës” me bukurinë femërore nëpër stadiume.
Futbolli në barelë, është përkufizimi i asaj që ndodhi një ditë më parë në Elbasan. Pyetja më pa shpresë: si do ta ndalim dhunën? Në Angli, atdheu i futbollit dhe i dhunës së “vdekur”, sapo janë dënuar 200 tifozë të Uest Hemit, që të mos prekin përjetësisht stadiumin. Në Shqipëri, e quajnë një shpikje marketingu, kur dhunën e konvertojnë në para, dënojnë me gjoba. Për shembull, Partizani fituesi moral i ndeshjes për shfaqjen që dha në fushë, do të paguajë miliona për shfaqjen e shëmtuar…të shkuljes së stolave. Dhe del zyrtari i futbollit, që më shumë qan për stolat e dëmtuar, sesa kokat e gjakosura dhe vajzën e barelës.
G.S