“Racistët” e Vlorës, marrin 4-fishin e dënimit të Skënderbeut

Skënderbeu mbërriti në kryeqytetin serb, për të diskutuar ndeshjen e shumëpërfolur me Partizanin vendas dhe meqenëse kjo nuk është një përballje në rang Kombëtaresh, në Beograd vazhdon të flitet për një ndeshje të luajtur 30 vjet më parë, atëherë kundër Flamurtarit. Veç të tjerash është folur edhe për dënimin e korçarëve, pas ndeshjes së parë në Elbasan, që edhe drejtuesit e futbollistët e Partizanit e cilësuan absurd. Por në Beograd nuk dinin vetëm një gjë dhe në fakt nuk kishte edhe pse t’u interesonte. Pikërisht në ditën kur UEFA dënoi Skënderbeun, FSHF masakroi Flamurtarin. Institucioni që drejton futbollin në kontinent, përdori argumentin se tifozët e Skënderbeut hodhën parrulla raciste dhe nacionaliste gjatë ndeshjes ndaj fqinjëve të tyre ballkanas dhe për këtë merituan që një një ndeshje në shtëpi ta luajnë pa praninë e tifozëve. Ndërsa po për parrulla të shpalosura, apo të thirrura, këta tanët e mbyllën stadiumin e Flamurtarit për katër ndeshje, madje nga selia e FSHF-së u shpërnda edhe një lajm, sipas të cilit, shefat u treguan zemërbutë, pasi sipas rregullores, tifozët e Flamurtarit duhet të pengoheshin tetë javë për të hyrë në stadium.

Tifozët e Skënderbeut lëshuan thirrje të papërshtatshme pa shumë arsye, por megjithëse nuk u dëgjuan nga veshët e kundërshtarëve, UEFA, meqenëse është e ndjeshme në të tilla raste, i dha një dënim, që do të shërbejë njëkohësisht edhe si paralajmërim për tifozët e Partizanit të Beogradit, për ndeshjen e kthimit. Ndërsa në rastin e vlonjatëve, racizmi i tyre e kaloi çdo kufi, pasi ironizuan vetë pulat e shefit dhe për këtë arsye të fortë merituan 4-fishin e dënimit të Skënderbeut. Në të njëjtën kohë, kyçja e stadiumit, duket se është konceptuar edhe si një provë force e kësaj federate që prej kohësh e ka humbur logjikën, ndaj të gjithë atyre që nuk i servilosen drejtuesit të saj. Serbët u çuditën me dënimin e UEFA-s, megjithëse u intereson direkt për vazhdimësinë e grupit, ndërsa shqiptarëve të këtushëm u bëri shumë pak përshtypje ndëshkimi ekzemplar i Flamurtarit. Ndërsa vlonjatët, pikërisht në këtë fazë “PO” të kampionatit, nuk do të kenë praninë e tifozëve në ndeshjet kundër kampionëve të Kukësit dhe aspirantëve për të fituar titullin e rradhës, Skënderbeut. Mesazhi është po ai i vjetshme: Nëse nuk i lë rehat drejtuesit e FSHF-së, duke përfshirë këtu njerëzit dhe pulat, atëherë e ke fare të pamundur për të fituar diçka të madhe në këtë lloj futbolli, pavarësisht se sa ke shpenzuar.