Nuk njihet për pilot që ka frikë nga konkurrimi. Ljuis Hamilton, ashtu si Fernando Alonso apo edhe Sebastian Fetel, është “racë luftëtarësh” në Formula 1, por edhe kjo “racë” shpesh thotë të vërtetën. E vërteta e anglezit ishte që nëse Niko Rosberg do të ishte duke garuar për Mercedesin, ndoshta Sebastian Fetel do të ishte tani pranë titullit botëror. Kaq e madhe ishte armiqësia e tyre, ndërsa bënin duel për titullin brenda skuadrës, por në një sezon kur Ferrari ishte ende dobët, jo si këtë herë.
“Askush nuk e di se çfarë ndodhi vjet, – u shpreh ai në një intervistë, – e dinë vetëm njerëzit e brendshëm të skuadrës, dhe nuk ishte aspak diçka e mirë. Nuk mund të them se ishim shkëlqyeshëm. Kur ke dy pilotë të fortë që luftojnë për titull, gjendja në skuadër është si një uragan që nuk ka ku të shkojë, por thjesht është i mbyllur në një dhomë. Këtë vit është ndryshe, pasi gjithë energjitë tona shkojnë për të përmirësuar makinën. Nuk do të ishte aspak kështu, nëse Rosberg do të kishte vazhduar”. Rosberg u shpall vjet kampion i botës dhe Hamilton pati konflikt me skuadrën, pasi nuk iu bind urdhërave.
Sfidanti.al